Lazio, kundër racizmit. Lotito: Çdo vit, 200 tifozë në “Auschwitz”

24/10/2017 17:11

Fjalë të forta, madje të ashpra, por me një vendosmëri të palëkundshme. Claudio Lotito, president i Lazios, teksa ndodhej para Sinagogës së Romës nën shoqërinë e Felipe Anderson dhe Wallace, ka shpjeguar pozicionin e tij të palëkundur në lidhje me disa episode të dënueshme të së dielës në “Olimpico” të Romës.

Sigurisht, pozicioni i tij i qartë nënkupton edhe pozicionin e klubit që ai drejton, por edhe të shumicës së tifozëve bardhekaltër që mbështesin ekipin.

“Sot jemi këtu për të dëshmuar edhe njëherë pozicionin tonë, ndarjen nga çdolloj forme ksenofobie, racizmi apo antisemitizmi. Shoqëria jonë ka treguar përmes një sërë veprimesh, synimin për të parandaluar dhe dënuar fenomenet e caktuara, që sigurisht nuk na përkasin aspak”, shprehet presidenti i klubit, ku drejtor sportiv është edhe një figurë tejet e njohur shqiptare, si Igli Tare.

“Pjesa më e madhe e tifozerisë, madje pjesa dërrmuese e tifozerisë së Lazios ndan të njëjtin pozicion me ne, ndaj dhe ne do të ndërmarrim ndoshta edhe nisma të tjera që do t’i shërbejnë parandalimit në të ardhmen të episodeve të caktuara. Njoftoj zyrtarisht sot se, Lazio do të organizojë një nismë të përvitshme, për të dërguar çdo vit një grup prej 200 tifozësh të rinj në një vizitë në Auschwitz”.

Por, një gjysmëkritikë është lëshuar nga presidentit lacial Lotito. Përse vendosi të hapte sektorin “Curva Sud” të stadiumit “Olimpico”, për ultrasit bardhekaltër…

“Nuk mund të pranoj asnjë lloj instrumentalizimi të atij vendimi për të hapur atë sektor për tifozët tanë. U bë pikërisht për të luftuar racizmin”, tha Lotito pas vendosjes së një kurore me lule në Sinagogën e Romës, poshtë lapidarit të hebrenjve të deportuar nga vendi.

Vizita e drejtuesve të Lazios në Sinagogë, përveçse një gjest miqësie kundrejt komunitetit hebre roman, ishte i rëndësishëm edhe për të dënuar atë sjellje aspak të hijshme antisemite të disa ultrasve të skuadrës romane, gjatë ndeshjes Lazio-Cagliari të mbrëmjes së të dielës.

Top Channel