Lamtumirë “Adidas”, Milan firmos me “Puma”-n

24/10/2017 16:53

Vetëm pak javë pas blerjeve të bujshme të verës, Milani ka njoftuar ndërprerjen e partneritetit me kompaninë e veshjeve sportive “Adidas”, i cili ka qenë edhe sponsor teknik prej vitit 1998.

Tri shiritat e logos së kësaj kompanie, që kanë qenë në fanellat e Milanit prej kohës së Zaccheronit, do të duken duke filluar nga sot si copëra të një epoke të largët. Kjo, sepse “Adidas” e ka shoqëruar Milanin edhe në vitet e lojtarëve të famshëm si Rivera apo Baresi, ndoshta me më shumë shkëputje atëherë, por që tregoi edhe njëfarë vazhdimësie.

Megjithatë, zgjedhja e kompanisë “Adidas” ishte njoftuar pak javë më parë. Në kontratën e firmosur në periudhën e drejtimit të klubit nga Berlusconi, ekzistonte një klauzolë që i lejonte kompanisë të tërhiqej nga akordi, e pikërisht kjo klauzolë është shfrytëzuar.

Pas thuajse 20 vitesh, tashmë “Adidas” thotë “mjaft”. Klubi nga Milano nuk mund të bënte gjë tjetër, veçse ta konfirmonte edhe zyrtarisht, përmes komunikatës në faqen zyrtare në internet divorcin, por ka shkuar edhe më tej, teksa ka njoftuar edhe arritjen e “një akordi të ri, me një tjetër kompani ndërkombëtare veshjesh sportive”.

Ndryshimi do të vihet në zbatim nga vera e ardhshme. Milani do ta mbyllë këtë sezon me fanellat “Adidas”, ndërsa nga 1 korriku e në vazhdim do të zbresë në fushat e blerta nën siglën “Puma”. Dikush mund të ndihet i habitur, pasi logoja e maces së egër nuk ka qenë kurrë më parë mbi sfondin kuqezi.

Një sponsor i tillë, për italianët gjithsesi nuk është i panjohur, pasi këtë logo e kanë parë në fanellat “axurre” të Italisë, por kompania sponsorizon edhe skuadra të tjera si Borussia Dortmund, Arsenal, apo edhe Bordeaux, Newcastle e Rennes.

Megjithatë, marrëveshja me Milanin nuk mund të jetë njësoj si me to. Nën partneritetin me kuqezinjtë, “Puma” mund të shesë rreth 200 mijë fanella në sezon…

Klubi nga rruga “Aldo Rossi” nuk ka bërë asnjë shifër publike për marrëveshjen disavjeçare, por në ditët e kaluara është përfolur rreth një akordi prej 10-15 milionë eurosh në sezon. Gjithsesi, shuma pritet të jetë më e ulët nga vitet e fundit. “Adidas” në vitin 2013 firmoste një kontratë 10-vjeçare, që vetëm në vitin 2016 i dha Milanit 19.7 milionë euro, ndërsa në bilancin e fundit rreth 9 mln euro.

Një kuriozitet për tifozët e Milanit është edhe fakti se “Puma”, e mbiquajtur edhe si “motra e Adidas”, është sponsor i portierit të talentuar Gigio Donnarumma.

Top Channel