Java e 8 e Superiores, gjithçka nis nga Lushnja

24/10/2017 17:33

Java e 8 e Kategorisë Superiore pritet të ndryshojë sërish klasifikimin e elitës së futbollit shqiptar, me ndeshjet që do të luhen në tri ditë.

FSHF-ja zyrtarizoi kalendarin e përballjeve të radhës. Gjithçka do të nisë këtë të shtunë, me ndeshjen që Lushnja e vendit të fundit do të luajë kundër Teutës në orën 14:00. Të dyja ekipet vijnë nga humbjet respektive, por nëse lagunarët kanë sakrifikuar pankinën, Magani ka arritur të mbijetojë në Durrës.

Në po të njëjtën ditë, Skënderbeu kryesues do të presë Luftëtarin, në një ndeshje të lehtë të paktën “në letër”. Korçarët janë në vendin e parë, me 3 pikë më shumë sesa ndjekësit, ndërsa formacioni gjirokastrit diskuton këtë vit mbijetesën, teksa renditet në vendin e parafundit me 5 pikë.

Të dielën, kalendari prezanton dy përballje të tjera, me Kukësin që pret Vllazninë në stadiumin “Zeqir Ymeri”, ndërsa në orën 17:00, Partizani do të presë Flamurtarin.

Java e 8 e Superiores do të mbyllet të hënën në orën 14:00 në Laç. Kurbinasit do të luajnë ndaj Kamzës, me të cilën i ndan vetëm një pikë në renditje.

Top Channel