Gianrico Carofiglio, prokurori i Antimafias që u bë shkrimtar

24/10/2017 16:30

Gianrico Carofiglio ka ardhur në Shqipëri për t’u takuar me lexuesit e tij në daljen e librit të tij në gjuhën shqipe, titulluar “Rregulli i ekuilibrit” tashmë në shqip. Ka shkruar tregime, romane dhe ese. Librat e tij, që gjithnjë kanë zënë vendet e para në listat e librave më të shitur, janë përkthyer në të gjithë botën.

Libri “rregulli i ekuilibrit”:
Duke qenë me profesion jurist, sistemi gjyqësor zë vend në librat e tij. Korrupsion gjyqtaresh, manovra në kërkim të ryshfetit dhe dilemat njerëzore për të qëndruar i ndershëm në gjithë këtë vorbull janë pjesë e subjektit të librit “Rregulli i ekuilibrit” që e e ka sjellë në shqip botimet “Fjala” me përkthim të Ingrid Rudit. Protagonisti i romanit është Guido Guerrieri. Është pranverë dhe protagonisti shfaqet i tërhequr nga jeta për shkak të një historie personale që e ka rënduar shpirtërisht dhe psikologjikisht.

Bashkëbiseduesi i tij i parapëlqyer është thesi i boksit që varet në mes të dhomës së ndenjes, të cilit i nxjerr inatin. Pikërisht në këtë moment, teksa Guido është strukur në një cep të errët, i mbyllur në vetvete duke medituar mbi jetën shfaqet në derë një shok universiteti. Miku i tij me një karrierë brilante në sistemin gjyqësor është akuzuar për korrupsion.

Shoku i Universitetit i kërkon Guidos ta marrë në mbrojtje ndaj akuzës për korrupsion, që është më e tmerrshmja që mund t’i bëhet një gjyqtari. Pothuajse pa dëshirë, Guerrieri përfshihet në këtë çështje dhe dalëngadalë humbet kthjelltësinë, i çjerrë nga tensioni midis rregullave formale dhe ndërgjegjes individuale.

Në një rrjedhë ngjarjesh herë dramatike e herë komike, të vetmit që do ta ndihmojnë janë miku i tij polic, Karmelo Tankredi, dhe një detektiv privat, personazh i vështirë për t’u deshifruar: sepse është grua, e bukur, e dyshimtë, dhe qarkullon me një shkop bejsbolli. Ngjarjet edhe pse zhvillohen në shtetin fqinj, të duket se e ke parë kaq herë edhe në realitetin tonë.

Autori:
Gianrico Carofiglio ka lindur më 30 maj 1961 në Bari, Itali. Ai është shkrimtar, politikan dhe ish-jurist. Gianrico Carofigio e nisi karrierën e tij si gjykatës në vitin 1986. Punoi për disa vite në profesionin e tij në Ministrinë e Punëve Publike, e më pas Prokuror dhe drejtues i Antimafias së Barit.

Iu dedikua politikës kur iu bashkua gjatë Legjislacionit të XV te Komisionit Parlamentar të Antimafias. Në vitin 2008 deklaroi se do të kandidonte në Senat si përfaqësues i Partisë Demokratike dhe po atë vit u zgjodh senator. Pas përfundimit të mandatit parlamentar ai dha dorëheqjen nga profesioni për t’iu dedikuar me kohë të plotë pasionit të tij; shkrimit. Prej asaj kohe ai është shkrimtar me kohë të plotë. Ai është djali i shkrimtares Enza Buono (e ndarë nga jeta në vitin 2014). Vëllai i tij gjithashtu me profesion arkitekt është shkrimtar dhe ilustrator botimesh.

Top Channel