Në Kinë janë të sigurtë: Ancelotti në stolin e Guangzhou Evergrande

24/10/2017 11:58

Shkarkimi i dhimbshëm nga pankina e Bayern Munchen ka lënë jo pak shenja, edhe te një trajner veteran si Carlo Ancelotti. Italiani paralajmëroi se do të qëndrojë pushim për pjesën e mbetur të sezonit, por po shtohen gjithmonë e më shumë zërat për rikthimin e tij në stol.

Sipas medieve kineze, agjenti i Ancelottit ka hyrë prej ditësh në tratativa me drejtuesit e Guangzhou Evergrande. Nëse firma vjen këto ditë, do të jetë italiani i tretë që drejton kampionët e Kinës, pas emrave të tjerë të njohur, si Marcello Lippi e Fabio Cannavaro.

Të përditshmet aziatike e quajnë praktikisht të sigurtë emërimin e ish-trajnerit të Milanit, Realit të Madridit dhe Chelseat. Ancelotti do të zbarkojë në fundin e sezonit në Kinë, për të përgatitur ekipin për kampionatin e ri, si dhe për të lehtësuar komunikimin me trajnerin e kombëtares kineze, Marcello Lippi.

Me shumë gjasë, Ancelotti do të trashëgojë ekipin e brazilianit Luiz Felipe Scolari. Ky i fundit, që ka paralajmëruar largimin, në 3 sezonet e fundit ka fituar kampionatin, ka marrë një kupë, dy superkupa të Kinës dhe një Ligë aziatike Kampionesh.

Top Channel