SHBA mobilizon bombarduesit! (FOTO)

23/10/2017 21:10

Tensionet nga Azia në Lindjen e Mesme, kriza bërthamore me Korenë e Veriut e dueli me Rusinë po shtyjnë Pentagonin të marrë një vendim historik.

Forcat ajrore amerikane duhet të mbajnë bombarduesit nuklearë strategjik në gjendje të vazhdueshme alarmi e gati për të sulmuar në disa baza. Gjenerali David Goldfein, shefi i Shtabit të Forcave Ajrore tha për uebsjajtin e sigurisë kombëtare Defense One, se liderët ushtarak po detyroheshin t’i përshtateshin realitetit të situatës globale në të cilën gjendeshin.

“Bota është bërë një vend i rrezikshëm; kemi regjime që na kërcënojnë hapur për përdorimin e armëve bërthamore”, tha David Goldfein, gjeneral.

Goldfein theksoi se urdhri nuk është dhënë ende, por sipas tij ishte vetëm çështje kohe, e përgatitjet kishin nisur. Kjo lloj gatishmërie e bombardueseve nuk është parë që prej kohës së luftës së ftohtë. Në rast të dritës jeshile, një flotë bombarduesish B-52 me armë nukleare do të viheshin në pozicione sulmi gati për t’u nisur brenda ditës. Është parashikuar gjithashtu hapja e 9 pistave ku do të qëndrojnë në pritje mjetet gjigande, simbol i arsenalit amerikan.

Ndërkohë është rinovuar edhe ndërtesa që do të presë rreth 100 ushtarakët që do të përbëjnë ekuipazhin. Përpos bombardueseve parashikohet edhe mobilizimi i mjeteve të tjera për mbikëqyrjen, inteligjencën dhe komandën e avancuar për të operuar në rast konflikti bërthamor. Njoftimi vjen pak ditë pasi kreu i CIA-s Mike Pompeo paralajmëroi se Koreja e Veriut ishte vetëm disa muaj larg perfeksionimit të armëve bërthamore, në gjendje për të sulmuar territorin amerikan.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel