Plas skandali te Suedia para Italisë

23/10/2017 19:39

Në nëntor Suedia do të luajë dy ndeshje mjaft të rëndësishme ndaj Italisë në “play off”-in që të çon në Botërorin e Rusisë, por në prag të këtyre takimeve, te skandinavët janë hedhur akuza për ngacmime seksuale dhe situata nuk është e qetë.

Gunilla Axen, një ish-futbolliste e Kombëtares së Suedisë dhe më pas pjesë e Federatës, ka hedhur akuza ndaj 3 lojtarëve të Kombëtares, për të cilët ajo pretendon se i kanë dërguar foto nudo të tyret.

Axen, e cila ka qenë pjesë e Kombëtares në vitet ’80 është shprehur: “Pasi u largova nga futbolli i luajtur u bëra pjesë e federatës duke punuar për 17 vite, por nga 2003 deri në 2010 pata ngacmime seksuale, jo vetëm unë por edhe dy femra të tjera. Tre lojtarë të kombëtares, të cilët ishin mjaft të rëndësishëm në atë kohë, më kanë dërguar foto nudo. Për shembull, një mëngjes kam marrë një mesazh me një foto nudo, ku shkruhej “mirëmëngjesi Gunilla”, shprehet ish-futbollistja e Suedisë, e cila nuk ka pranuar t’i bëjë publik emrat.

E pyetur se pse vendosi të flasë në këtë moment, Gunilla Axen është shprehur se donte ta publikonte këtë histori shumë kohë më parë, por dy femrat e tjera e kishin kundërshtuar, ndërsa shton se i është kërkuar edhe nga Lars-Åke Lagrell, atëherë ish-president i federatës, që të mos fliste.

“Unë nuk dua të bëj publik emrat, por e di se kuar ata ta shohin do të frikësohen, ndërsa e kundërta ndodh me mua, pasi jam akoma e zemëruar”, është shprehur Axen.

Ish-presidenti i federatës, Lars-Åke Lagrell i ka mohuar akuzat, ndërsa ka thënë se gjithçka është bërë për hakmarrje pasi Gunilla Axen u largua nga federata dy vite më parë.

Top Channel