‘The Voice of Albania 6’ shënoi vitin e gjashtë si moderator i këtij spektakli talentesh dhe për herë të parë edhe si producent ekzekutiv?

Ky vit shënon edhe 15-vjetorin tim në televizion, ku kam kaluar gjysmën e jetës sime i rrethuar nga kamera, drita dhe njerëz, shumë njerëz, aq sa gjendem shpesh në situatën kur më thonë ‘më mban mend’ (vështirë t’i mbaj mend të gjithë, edhe pse me keqardhje). Eksperienca në ‘The Voice of Albania’ do të mbetet si një prej udhëtimeve më të bukura profesionale të miat. Edicioni i fundit edhe më shumë për shkak të një frymë krejtësisht të re, ribëmë kështjellën nga e para dhe jemi të lumtur të gjithë si staf që publiku na shijoi në çdo hap tonin. Në përgjithësi gjërat vijnë duke u zbehur, por me ‘The Voice 6’ ndodhi e kundërta. Fituesi i këtij edicioni, Klinti Çollaku, u zgjodh nga aq vota sa 5 edicionet e kaluara marra së bashku, gjë e cila tregon se kemi bërë punën siç duhet!

Ndërkohë puna për ‘The Voice Kids’ ka nisur prej kohësh… Si e shihni punën me fëmijët, më shumë kënaqësi apo përgjegjësi?

Gjatë edicionit të gjashtë të ‘The Voice of Albania’, unë u bëra për herë të parë prind, edhe pse ndihesha pakez i tillë prej katër-putroshit që kam adoptuar përpara 7 vitesh. E vërteta është që unë nuk kam patur ndonjë marrëdhënie kush-e-di me fëmijët. Shumë njerëzve u vjen natyrshëm të kenë një raport me ta. Përpara se të vendosnim për të bërë një edicion të dytë të ‘The Voice Kids’, u konsultuam gjatë me stafin dhe të gjithë ishin entuziastë. E kotë ta them që London Noor ka ndryshuar raportin tim me fëmijët. Ke tjetër ndjeshmëri kur je vetë prind. Përpara se të fillojmë xhirimet e ‘The Voice Kids’ kemi xhiruar tre promo me fëmijë dhe ka qenë aq kënaqësi sa përgjegjësi, por mbi të gjitha ka qenë bukur, shumë herë më bukur se të punosh me të rritur. Një koleg nga Talpa (kompania që prodhon ‘The Voice’) më tha që nuk mund të quhesh kurrë i kompletuar si producent nëse nuk ke punuar njëherë me fëmijët. Mund të them se nga eksperienca e deritanishme, ka patur të drejtë. Të punosh me fëmijët të përball me sfida që të zhvillojnë sensin praktik dhe stafi i mrekullueshëm i ‘The Voice Kids’ deri tani i ka kaluar me sukses, kryqëzojmë gishtat për muajt që do të vijnë.

Tashmë që trajnerët janë zgjedhur dhe ju keni zhvilluar takime të gjithë bashkë, në këndvështrimin tuaj si duket se do ta përcjellë publiku këtë kombinim?

Kur publikuam për herë të parë emrat e tyre u trembëm pak, sepse për herë të parë nuk kishte asnjë koment ‘kritik’ në rrjetet sociale. Aq sa telefonova departamentin Online të programit mos kishin fshirë komentet. Kjo është një shenjë shumë e mirë, që tregon se publiku ka një vlerësim dhe padurim për t’i parë në skenën e ‘The Voice Kids’. Katërshja ka një kimi të mirë, janë shumë të ndryshëm nga njeri-tjetri, por shumë të ngjashëm në kërkesat ndaj vetes për rolin e tyre në spektakël. Kjo do të duket edhe nga promo e tyre, që del në datë 25 nëntor në transmetim, për herë të parë së bashku.

Ka mbaruar një fazë shumë e rëndësishme, ajo e audicioneve për përzgjedhjen e zërave. Mendoni se do të spikasin talente në këtë sezon të ‘The Voice Kids’?

Jemi shumë të lumtur me audicionet, prurja e tyre na garanton të bëjmë të paktën edhe 3 edicione të tjera me fëmijët, të cilët janë shumë të talentuar, jo vetëm vokalisht. Fëmijët e sotëm, ndryshe nga brezi im apo i prindërve të mi kanë zhvilluar shumë dhunti. Në disa prej klipeve që kemi xhiruar deri më tani, kemi takuar fëmijë që i bien dy instrumenteve, kërcejnë balet klasik, kanë më shumë kupa se këngëtarë të afirmuar në dhomën e tyre të gjumit dhe shumë gjëra të tjera. Kur unë kam qenë në moshën e tyre, luaja me karroca dërrase.

Puna me të tilla produksione të mëdha kërkon gjithnjë angazhim maksimal jo vetëm në ide, por edhe në energji dhe në kohë. Mendoni se kjo do t’ju pengojë për të qenë më afër familjes?

Sigurisht që ndikon, por ‘The Voice Kids’ ka një staf të mrekullueshëm, që ndihmojnë njeri-tjetrin vazhdimisht, duke e bërë punën më të lehtë. Televizioni bëhet në grup, nuk bëhet nga një njeri i vetëm. Nuk janë të rralla rastet kur familja ime vjen me mua në punë, kur kemi orë të gjata, të paktën jemi bashkë. Mundohem të bëj maksimumin që të mbyll çdo gjë para se të shkoj në shtëpi, por sapo London fle gjumë, sigurisht që më presin dhjetëra mesazhe dhe email-e, të cilave u japim drejtim deri në orët e vona të natës. Ajo që më pëlqen pafund është që edhe kur lë familjen time dhe shkoj në punë, gjej një tjetër familje, madje këtë edicion, me gjithë ata fëmijë do shtohemi shumë në numër.