Katalanasit nuk do t’iu binden urdhrave të Madridit

23/10/2017 15:22
Raul Romeva, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katalunjës

Katalanasit nuk do t’iu binden urdhrave të Madridit zyrtar, nëse ai tenton të vendosë kontrollin e vet mbi rajonin e pashtruar autonom.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Raul Romeva i tha BBC-së se, qeveria qendrore po vepron kundër vullnetit të qytetarëve të Katalunjës. “Si mund ta pranojë Bashkimi Europian këtë situatë? – u shpreh ai gjatë programit radiofonik “Today”. – Si mund të mbijetojë demokracia e BE-së dhe ata të vazhdojnë të mbeten të besueshëm, nëse e lejojnë të ndodhë një gjë e tillë”.

“Ajo që unë mund t’iu them me siguri është se populli dhe institucionet e Katalunjës nuk kanë për ta lejuar”, vazhdon Romeva.

Për zëdhënësin, qeveria spanjolle nuk ka rrugë tjetër veçse ta pranojë se katalanasit e zgjodhën me votë pavarësinë e tyre. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy i bëri publike planet e tij për pezullimin e qeverisë aktuale të rajonit dhe tkurrjen e disa prej lirive që gëzon Parlamenti i tij, i cili do të mblidhet këtë të enjte për të vendosur si do t’i përgjigjet lëvizjes së qeverisë qendrore.

Më herët, qindra vetë u mblodhën në Madrid për të shprehur mbështetjen ndaj Katalunjës, e në thirrjet e tyre u bënë jehonë edhe komenteve për “grusht shteti” të organizuar nga qeveria e Mariano Rajoyt.

Vendimi i Spanjës për ta vënë Katalunjën nën sundimin e saj mund ta shtyjë presidentin Carles Puigdemont të shpallë këtë javë pavarësinë, ndërsa beteja separatiste tani po kthehet në mllëf personal.

Deklarata e mëvetësisë, e nënshkruar por e lënë pezull nga Puigdemont, mund ta hedhë forcën rajonale policore “Mossos d’Esquadra” kundër mijëra pjesëtarëve të Gardës Civile dhe policisë kombëtare të dërguar në Katalunjë. Nuk është çudi që me ta të bashkohen edhe mjaft nëpunës, ndërsa përkrahësit e shkëputjes paralajmërojnë mosbindje civile masive.

Top Channel