Gara për Prishtinën, Mustafa: LDK me qytetarët. Veseli: Partneritet me të gjithë

23/10/2017 20:44

Edhe pse ishte kali i betejës në fushatë, Komuna e Prishtinës nuk u arrit të fitohej që në raundin e parë nga Vetëvendosje.

Pas katër javesh, Shpend Ahmeti do të ripërballet me Arban Abrashin e LDK-së. Për Visar Ymerin, fitorja është e sigurtë.
“Mendoj që në Prishtinë, Vetëvendosje do të dalë fituese. Kemi pritur që të fitonim pa balotazh, kjo nuk ndodhi. Megjithatë, të tilla janë zhvillimet në Komunën e Prishtinës, që domosdoshmërisht Vetëvendosje do të fitojë. Jemi shumë përpara kandidatit të LDK-së”, thotë kreu i VV, Visar Ymeri.

Por kreu i LDK-së Isa Mustafa shpreh bindjen se do të jetë Abrashi ai që do të triumfojë.

“Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë qytetarët. Nuk kemi ndonjë orientim të veçantë për marrëveshje koalicioni me ndonjë nga partitë. Do të preferojmë koalicionin me qytetarët. Besoj se Arbani ka përkrahjen e qytetarëve dhe do të arrijmë që në raundin e dytë ta fitojmë Prishtinën”, deklaron Mustafa.

Por një rol të rëndësishëm në balotazh pritet të luajë dhe PDK dhe pozicionimi i saj.

“PDK do të ndihmojë vetveten në Prishtinë. Me këtë rezultat na kanë ikur rreth 30 mijë vota. Nuk kemi patur rezultatin që kemi dëshiruar ne. Kjo është garë elektorale dhe do të shohim çështjet e interesit partiak. Nuk përjashtoj askënd. Nuk jam përjashtues në politikë dhe mundohem të kem partneritet më të gjithë”, deklaron kreu i PDK-së, Kadri Veseli.

Top Channel