Emetimet e CO2, aciditeti i oqeaneve prek jetën nënujore

23/10/2017 11:04

Tetë vite studime kanë shërbyer për të dalë në përfundimin se, emetimi i dioksidit të karbonit në shoqërinë e ditëve tona po i bën oqeanet më acide, e nga kjo do të preket e gjithë jeta nënujore.

Më shumë se 250 shkencëtarë kanë marrë pjesë në hulumtim, e përfundimi i tyre është se, në mënyrë të veçantë, rritja e nivelit të CO2-shit do të dëmtojë krijesat e ujit.

Një prej shembujve të dhënë është ai i peshqve merlucë. Numri i atyre që do të mbërrijnë moshën madhore mund të tkurret në një të katërtën, apo edhe një të 12-n e shifrave të sotme.

Një broshurë që përmbledh përfundimet kryesore të projektit “Bioacid”, që kryesohet nga Gjermania, do t’u paraqitet negociatorëve të klimës në takimin e tyre të përvitshëm.

Këtë herë, konferenca do të zhvillohet në qytetin e Bonnit, në muajin nëntor. Raporti mbi impaktin biologjik të shtimit të aciditetit në ujin e oqeaneve del në përfundimin se, ndryshimet e përftuara prej këtij procesi do të përkeqësohen nga efekti serë, ndotja, zhvillimi i rajoneve bregdetare, teprimi me peshkimin dhe fertilizuesit bujqësorë.

Aciditeti i oqeaneve po ndodh sepse CO2-shi nga karburantet fosile shpërbëhet në ujin e detit, prodhon acid karbonik dhe ul pehashin (PH) e tij. Që prej fillimit të revolucionit industrial, masa e koncentrimit të joneve të hidrogjenit në tretje, e matur në sipërfaqen e oqeaneve, ka rënë nga 8.2 në 8.1, gjë që përfaqëson një rritje të aciditetit me gati 26%.

Top Channel