E veja e ushtarit akuzon Trump: I harroi emrin gjatë ngushëllimeve

23/10/2017 18:54

E veja e një ushtari amerikan ka deklaruar se presidenti Donald Trump nuk mbante emrin e bashkëshortit të saj kur e telefonoi për t’i bërë ngushëllimet e tij.

Myeshia Johnson, bashkëshorte e rreshterit të ndjerë David Johnson, tha për ABC News se bllokimi i presidentit gjatë bisedës kishtë lënduar ndjenjat e saj.

Por Trump hodhi poshtë akuzën duke thënë se e kishte përdorur emrin e rreshterit Johnson “pa hezitim” dhe e cilësoi bisedën me zonjën si “shumë të respektueshme”.

Rreshteri Johnson mbeti i vrarë në një sulm të militantëve islamikë në Niger më herët gjatë muajit.

Telefonata e shefit të Shtëpisë së Bardhë për të shprehur ngushëllimet zuri titujt e parë të gazetave dhe mediave online kur kongresmenia demokrate Frederica Wilson, që ishte me familjen e të ndjerit gjatë bisedës, e akuzoi atë për pandjeshmëri.

Myeshia Johnson konfirmoi deklaratën e Wilson se Trump i kishte thënë se, bashkëshorti e dinte ç’e priste kur hodhi firmën për t’u bashkuar me ushtrinë.

“Presidenti tha se e dinte ç’e priste, por kjo të lëndon. Më bëri të qaj sepse isha shumë e irrituar me tonin e zërit të tij dhe për mënyrën sesi e tha”, u shpreh e veja e ushtarit.

“Ai e kishte përpara raportin për bashkëshortin tim dhe pasi tha emrin e tij ngeci duke u përpjekur të kujtonte mbiemrin”, tha ajo.

Top Channel