Brexit, May: Progres me BE-në. Juncker: Kryeministrja tregon përralla

23/10/2017 18:09

Kryeministrja britanike Theresa May ka deklaruar se hapa të rëndësishëm përpara janë shënuar në negociatat me BE-në për realizimin e shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni.

May ka shprehur besimin se të tjera progrese do të arrihen brenda dhjetorit, në mënyrë që negociatat për Brexit të fillojnë.

Ajo ka shtuar gjithashtu se një marrëveshje për të drejtat e qytetarëve është “në një distancë të prekshme”, duke lënë të kuptohet se është pranë arritjes.

Por duke reaguar ndaj saj, rivali politik Jeremy Corbyn ka thënë se, deklarata e May është shenjë se gjërat kanë ngecur në vend.

Nga ana tjetër, presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker ka hedhur poshtë sa ka thënë kryeministrja britanike.

“Nuk është e vërtetë asgjë nga këto”, ka thënë Juncker, duke shtuar se gjatë takimit të fundit, May dukej e lodhur, politikisht e dobët dhe kërkoi dëshpërimisht ndihmë.

Pas 5 raundesh, në bisedimet MB-BE nuk është regjistruar asnjë marrëveshje e rëndësishme sa i takon fazës së parë të negociatave.

Në samitin e fundit të mbajtur, liderët e 27 vendeve anëtare u shprehën njëzëri se progresi për çështjet që kanë të bëjnë me shkëputjen e Britanisë ka qenë i pamjaftueshëm për të vijuar me bisedimet për marrëdhëniet e ardhshme tregtare.

Por megjithatë ata ranë dakord për të diskutuar marrëveshje të reja me njëri-tjetrin, për t’i hapur rrugë më pas negociatave me Londrën, mundësisht në dhjetor.

Top Channel