Akuza e rëndë, Jos Verstappen: FIA, asistente e Ferrarit

23/10/2017 11:15

Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara në Formulën 1, me garën e zhvilluar mbrëmjen e së dielës në Austin të Teksasit dha këto verdikte: Hamilton, Vettel e Max Verstappen në podium, me holandezin që dhuroi spektakël duke i marrë në kthesat e fundit, vendin më të ulët në podium Kimi Raikkonenit.

Por pas garës zbulohet se Max është ndëshkuar me 5 sekonda penalitet, për shkak se ka dalë tërësisht jashtë pistës në momentin e parakalimit, kur parakaloi finlandezin e Ferrarit, ndaj dhe duhet t’ia rikthejë podiumin pilotit të dytë të “kokëkuqes”.

Kjo nuk është pritur mirë si nga piloti i Red Bull, ashtu edhe nga babai i tij Jos Verstappen, i cili në një reagim të ashpër në rrjetet sociale e ka quajtur për turp një vendim të tillë, e për të ardhur keq.

“Ndihem i vjedhur”, shkruan Max në “Twitter”. “Ndihem i tillë, sepse ishte një garë e jashtëzakonshme për mua”.

Por më i ashpër ishte babai i tij. “Kjo është një çmenduri. Më falni, por ma vështiros. Çfarë turpi! Max penalizohet sepse nxori makinën jashtë piste”. Ndërsa më pas, në serinë e “cicërimave” të tij, shton edhe një foto me logon e FIA-s, Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, të cilën e përshkruan si “Ndihma Ndërkombëtare për Ferrarin” (Ferrari International Assistance).

Top Channel