Referendumet në Itali, Lombardia e Veneto duan autonomi

22/10/2017 12:55

Dy prej rajoneve më të pasura të Italisë së veriut po mbajnë referendume, në të cilat i kanë kërkuar zgjedhësve nëse duan më shumë autonomi.

Lombardia, që ka edhe kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, si dhe rajoni i Venetos, përreth Venecias, mbajnë së bashku 30 për qind të pasurisë së vendit.

Guvernatorët në të dyja këto rajone i përkasin Ligës së Veriut, që ka argumentuar se Veriu po paguan për Jugun e varfër të vendit.

Një votë pro pritet në të dyja proceset, por rezultatet nuk janë të detyrueshme. Qeveria qendrore në Romë thotë se votimi është i panevojshëm, edhe pse Kushtetuta italiane i lejon ato.

Referendumet, sidoqoftë, janë në kontrast të dukshëm me krizën në Spanjë, ku një nga rajonet më të pasura, Katalunja mbajti më 1 tetor referendum për pavarësinë, edhe pse Gjykata Kushtetuese e vendit e konsideroi të paligjshëm.

Presidenti i Lombardisë, Roberto Maroni është përpjekur ta distancojë atë që po ndodh në rajonin e tij, nga situata në Spanjë.

“Ne nuk jemi Katalunja. Ne mbetemi brenda Italisë me më shumë autonomi, ndërsa Katalunja do që të bëhet shteti i 29 i Bashkimit Europian. Ne jo! Të paktën jo për momentin”, tha Roberto Maroni, guvernator i Lombardisë.

Një nga ankesat kryesore të rajonit është se ato i japin shumë më tepër taksa Romës, nga sa marrin mbrapsht në investime publike, e duan të përgjysmojnë kontributin. Lombardia, sipas Maronit, i paguan Romës çdo vit 54 miliardë euro më shumë nga sa merr mbrapsht, ndërsa për Veneton, kjo shifër është rreth 15.5 miliardë euro.

“Taksat tona duhet të shpenzohen këtu, jo në Siçili”, thonë drejtuesit lokalë.

Top Channel