Koncert bamirësie, mblidhen 5 ish-presidentë amerikanë

22/10/2017 11:04

Pesë ish-presidentë amerikanë, Jimmy Carter, George Bush, George W. Bush, Bill Clinton dhe Barack Obama, morën pjesë në një koncert në Universitetin e Teksasit, që kishte si qëllim mbledhje fondesh në ndihmë të të prekurve nga uraganët.

Në një shfaqje të rrallë uniteti, presidenti amerikan Donald Trump përgëzoi të 5-të paraardhësit e tij, për punën e tyre me mbledhjen e fondeve, në një videomesazh.

“Duhet bërë ende shumë punë në Teksas dhe në Florida, ndërsa te miqtë tanë në Porto Riko dhe Ishujt Virxhin vetëm sa është filluar të hapet rruga, për të hedhur pas krahëve katastrofën me të cilën u përballën. Por, ky mund të jetë një fillim i ri, nëse ne bëjmë atë që duhet, e provojmë se zemra e amerikanëve është më e madhe sesa problemet tona”, tha Bill Clinton.

“Të gjithë ne, këtu në skenë, nuk mund të jemi më krenarë sesa kaq nga reagimi i amerikanëve. Kur shohin të tjerët në nevojë, amerikanët thjesht ngrihen në këmbë”, tha Barack Obama.

Në koncert morën pjesë artistë si Alabama, Lady Gaga, Gatlin Brothers, Robert Earl Keene etj. Ish-presidentët krijuan organizatën “Një Amerikë”, për të ndihmuar përpjekjet e ndihmës pas shkatërrimeve që stuhitë lanë pas në Teksas, Florida, Porto Riko dhe pjesë të tjera të zonës së gjirit të Meksikës dhe Karaibeve.

Fondi ka mbledhur më shumë se 31 milionë dollarë ndihma deri më tani. Rreth 11 mijë vetë morën pjesë në koncertin që u transmetua “live” në “Youtube”.

Top Channel