Cikli i mbyllur i prodhimit. Ahmetaj në fabrikën e re të biznesit fason

22/10/2017 13:05

Paketa për sektorin fason, e bërë mandatin e shkuar nga qeveria “Rama”, ka dhënë efekte, sipas ministrit të Financave, Arben Ahmetaj.

Gjatë një vizite në një kompani tekstilesh në Vorë, e cila ka investuar 2 milionë euro, Ahmetaj tha se politikat mbështetëse kanë bërë që të kalohet nga përpunimi aktiv ose fason, siç njihet, në një cikël të mbyllur prodhimi, duke sjellë vlerë të shtuar në ekonomi.

“Sot unë shoh të punësuar rishtazi nga zona, ku përveçse janë trajnuar, sot kanë mundësi të ndihmojnë edhe ata që do të vijnë gjatë vitit 2018, gati 400 punëtorë, dhe më besoni që këtu ka familje që përfitojnë muaj pas muaji, vit pas viti nga zhvillimi i kësaj sipërmarrjeje”, theksoi Ahmetaj.

Përjashtimi nga TVSH i makinerive dhe pajisjeve dhe rimbursimi i TVSH-së janë nxitje kryesore për këtë industri.

“Një nga pronarët më thotë që, para dhjetë ditësh ka marrë gjithashtu rimbursimin e TVSH-së, pa i telefonuar, pa i kërkuar, pa i thënë askujt. Ky është një subjekt që ka përfituar nga politika jonë e punësimit, nga mbështetja e programeve të punësimit”, deklaroi Ahmetaj.

Top Channel