Çeki, “kopja” e Trumpit fiton zgjedhjet

22/10/2017 11:40

Republika Çeke është në prag të një ere të re populiste, pasi zgjedhësit mbështetën të shtunën një biznesmen miliarder, që ka ndezur paralelizmat me Donald Trump, duke lënë pas partitë që tradicionalisht kanë dominuar në skenën politike.

Në mesin e pakënaqësive të publikut mbi politikën e zakonshme, partia “ANO” (Veprim për qytetarët e pakënaqur), e kryesuar nga Andrej Babiš, njeriu i dytë më i pasur në vend, fitoi 30 për qind të votave. Kjo bën që “ANO”, që në gjuhën çeke do të thotë “Po”, është partia më e madhe në Parlament dhe e para që ka të drejtën për të krijuar një qeveri.

Babiš, 63-vjeçar i lindur në Sllovaki, është akuzuar se po tenton të dëmtojë demokracinë, duke planifikuar të dobësojë Parlamentin dhe të blejë mediet kritike. Babiš ka bërë fushatë mbi një platformë antiemigracion, duke u përqëndruar te kundërshtia ndaj kuotave të BE-së për emigrantët.

Fitorja e tij vjen pavarësisht akuzave për mashtrim mbi bizneset e tij, apo atyre për bashkëpunim me policinë sekrete të erës komuniste, gjatë Luftës së Ftohtë. Socialdemokratët, që aktualisht janë në qeveri, morën vetëm 7.5 për qind të votave.

Një performancë të mirë në zgjedhje bënë partitë e së djathtës dhe së majtës ekstreme, duke ngritur perspektivën e një partie të re të linjës së ashpër, në detyrë, që do të tentojë të dobësojë orientimin properëndimor të Republikës Çeke.

Në vend të dytë është renditur në fakt partia antiemigrantë, “Liri dhe Demokraci” e kryesuar nga Tomio Okamura, që është gjysmëjaponez dhe emigrant, me më shumë se 11 për qind të votave, ndërsa komunistët morën rreth 8.5 për qind të votave, duke rritur mundësitë që ata të rikthehen në qeveri për të parën herë që nga rënia e Murit të Berlinit, në vitin 1989.

Vetë Babiš ishte ministër Financash në qeverinë aktuale, deri në maj, kur u shkarkua nga kryeministri në largim në mesin e akuzave për mashtrim me taksat. Si pronar i një konglomerati prej 230 kompanish, që përfshijnë kompani ushqimesh, karburantesh, etj., Babiš ka një pasuri prej 4.1 miliardë dollarësh.

Kritikët thonë se kompanitë e tij janë përfitueset më të mëdha të subvencioneve të BE-së dhe shtetit çek, ndërsa ai ka mundur të ndikojë në ndarjen e fondeve.

Top Channel