Paralajmërimi i CIA-s: Peniani, pranë aftësisë për të na goditur

20/10/2017 12:14

Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo paralajmëron se Koreja e Veriut është shumë pranë aftësimit për të goditur Shtetet e Bashkuara me një raketë bërthamore, e ndonëse Uashingtoni sipas tij vazhdon të preferojë diplomacinë dhe sanksionet, përdorimi i forcës ushtarake mbetet një prej opsioneve të mundshme në tryezë.

Vendi komunist pretendon se e ka tashmë mundësinë të godasë Amerikën. “Ata janë shumë afër, – thotë Pompeo, – dhe tani gjithë çfarë mbetet është të mendohet sesi i bëhet për ta ndaluar këtë hap përfundimtar”.

“Njohuritë raketore të Penianit po avancojnë aq shpejt sa për Inteligjencën amerikane është e vështirë ta përcaktojë me siguri se kur regjimi i atjeshëm do të jetë i suksesshëm. Jemi në kohën kur presidenti ka dalë në përfundimin se nevojitet një përpjekje globale për t’u siguruar që udhëheqësi koreano-verior nuk do ta ketë një aftësi të tillë”, tha Mike Pompeo, shef i CIA-s.

Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson këmbënguli se presidenti Trump dëshiron ta zgjidhë në rrugë diplomatike përplasjen me Korenë e Veriut, një deklaratë që erdhi pak pasi shefi i Shtëpisë së Bardhë e këshilloi publikisht të mos humbasë kohën duke kërkuar bisedime me Kim Jong-un.

Përpara disa ditësh, i dërguari i Penianit në Kombet e Bashkuara deklaroi se lufta bërthamore mund të shpërthejë nga momenti në moment.

Top Channel