I shpëtoi gijotinës, Iuliano mendon për Vllazninë e Gjokës

20/10/2017 17:23

Dy fitoret ndaj Teutës dhe Luftëtarit hoqën hijet e shkarkimit mbi trajnerin Mark Iuliano të Partizanit, duke e lënë disi të qetë nga presioni të përgatisë ndeshjen e radhës ndaj Vllaznisë në Shkodër.

Por, këtë herë italiani duket se e pranon edhe vet që do ta ketë të vështirë ndaj kuqebluve, sidomos pas ndryshimit të drejtuesit të pankinës shkodrane, me largimin e Armando Cungut dhe emërimin e Ernest Gjokës.

“I kam parë ndeshjet e Vllaznisë me trajnerin e larguar Cungu. Mendoj se Shkodra zhvillon një futboll të bukur, por lëvizja e trajnerit tregon se ekipi ka pasur probleme. Madje, ardhja e trajnerit të ri, i cili vitin e kaluar u shpall kampion i Shqipërisë me Kukësin, do t’i motivojë më shumë futbollistët shkodranë. Ne do të kemi një sfidë të vështirë”, thotë Iuliano.

Trajneri italian nuk iu beson statistikave, kur i tregojnë se Partizani vitin e kaluar fitoi vetëm një herë ndaj Vllaznisë dhe në tri përballje të tjera u ndanë në barazim, dhe shpreson shumë te suksesi i skuadrës që ai drejton.

Por Partizani do të udhëtojë drejt Shkodrës me një mungesë të rëndësishme, atë të Xhevahir Sukajt.

“Sukaj është një lojtar i rëndësishëm për ekipin tonë dhe më vjen keq që e kemi humbur në këto momente. Por ne kemi një të rikthyer në ekip, portierin Alban Hoxha, i cili e ka kaluar problemin që ka pasur me dorën”, u shpreh Iuliano.

Sa i përket të ardhurit të fundit, Jasir Asani, “ai është një futbollist me perspektivë, por duke qenë se nuk luante prej një kohe të gjatë, i duhet të rikuperojë gjendjen fizike dhe, derisa të arrijë në 100% të formës nuk mund të jetë pjesë e skuadrës së parë”.

Top Channel