Një shtetas sirian u arrestua në Aleksandropuli në kufi me Turqinë paraditen e së premtes, pasi sipas hetimeve të kryera rezultoi të jetë anëtar i organziatës terroriste ISIS.

Burime policore greke thonë se 32-vjeçari akuzohet për pjesëmarrje në grupet radikale që prej vitit 2012, ku kryente role dytësore, ndërsa që nga 2014-ta është anëtar i Frontit Al Nusra, një prej organizatave më famëkeqe terroriste.

Ai ka hyrë në Greqi si emigrant i paligjshëm në vitin 2016.  Ende nuk dihen rrethanat në të cilat është larguar nga kampi i emigrantëve në një ishull grek. Falë një denoncimi për dhune brenda familjes, autoritetet e vunë nën vëzhgim dhe e monitoruan 24 orë në 24 gjatë ditëve të fundit.

Emri i tij ndodhej në listën e Interpolit mes mijëra të dyshuarve si anëtarë të ISIS. Organet greke kryen verifikime dhe e arrestuan atë gjatë intervistës për shqyrtimin e kërkesës së azilit, që ai kishte bërë pranë autoriteteve greke.

Në celularin e 32-vjeçarit u gjetën edhe fotografi në të cilat ai shfaqej i armatosur përkrah xhihadistëve të tjerë, e gjithashtu video me ekzekutime civilësh.

Pas ndalimit, 32-vjeçari tentoi të kryejë vetëvrasje, por agjentët mundën ta shpëtonin dhe e dërguan në spital, ku edhe mbahet në masa të rrepta sigurie. Menjëherë sapo shëndeti i tij ta lejojë, ndaj 32-vjeçarit do të ngrihen akuza për pjesëmarrje në organizata terroriste.

Top Channel