“Brexit” pa marrëveshje, Macron: Disa po luajnë blofin

20/10/2017 22:47

Emmanuel Macron akuzoi mbështetësit e “Brexit” se po tentojnë t’i luajnë blofin Bashkimit Europian, që të zbusë qëndrimin në negociata, duke kërcënuar me skenarin e mosarritjes së një marrëveshjeje.

Në një ndërhyrje dramatike gjatë samitit të udhëheqësve në Bruksel, presidenti francez tha se një rezultat i tillë nuk ishte pjesë e diskutimeve, një reagim ndaj raporteve se ministri britanik i “Brexit”-it, David Davis po harton një plan për largimin e Britanisë pa marrëveshje.

“Në asnjë moment, Theresa May nuk e ka paraqitur mungesën e marrëveshjes si një opsion. Qoftë zhurmë, blof apo lajm i rremë nga ata që janë aktorë dytësorë, apo spektatorë në këtë diskutim, ky është opinioni i biznesit apo i medieve. Por nuk është pjesë e diskutimeve”, tha Emmanuel Macron, presidenti i Francës.

BE-ja vendosi për 90 sekonda se nuk ka pasur përparim në negociatat me Britaninë, por i la shpresa për dhjetorin Londrës. Megjithatë, presidenti francez grisi skenarin gjatë konferencës për shtyp dhe tha qartë se BE-ja nuk do të zbusë kërkesat e saj për të shmangur problemet politike për Theresa Mayn në shtëpi.

Madje, ai ishte edhe kreu i parë europian që i vuri një shifër të lartë divorcit britanik, duke thënë se 20 miliardë eurot e ofruara nga May nuk ishin as sa gjysma e detyrimit britanik.

Top Channel