Bashkimi Europian kundër gazsjellësit

20/10/2017 10:19

Një pjesë e liderëve të Bashkimit Europian i kundërshtuan planet ruse për ndërtimin e një gazsjellësi në Gjermani, të shqetësuar se projekti do të rrisë varësinë e bllokut ndaj gazit rus e do t’i reduktojë Ukrainës përfitimet nga tranziti i gazit, çka do të ishte e ndjeshme për ekonominë e saj të brishtë.

Në Samitin e Brukselit, kreu i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se BE-ja është e ndarë në këtë çështje dhe nuk ndërmori asnjë veprim.

“Nuk mendoj se kemi unanimet në këtë pikë dhe nuk do ta kemi as në muajt në vazhdim. Por, komisioni beson se do të ishte e dobishme që të ofrohej një mandat negocimi”, tha Juncker.
 
Më të shqetësuar nga tubacioni “Nord Stream 2”, i cili parashikohet të kalojë nga Rusia në Gjermani përmes Detit Balltik, janë liderët e Polonisë, Lituanisë, Danimarkës dhe Letonisë. Vendet e Europës Lindore dhe të Detit Balltik kanë shprehur shqetësimin se projekti do të forconte shtrirjen e Moskës duke rritur mbështetjen europiane për gazin natyror rus, ndërsa droja e shteteve nordike lidhet me vendosjen e tubacioneve pranë brigjeve të tyre, ku Rusia ka forcuar praninë e saj ushtarake.

Gjermania, ekonomia më e madhe e Bashkimit Europian, ndan bindjen se tubacioni ku supozohet të kalojnë 55 miliardë metra kub në vit, se Brukseli nuk ka përse përfshihet në këtë çështje. Debati i BE-së mbi projektin e diskutueshëm erdhi pasi Presidenti rus, Vladimir Putin, u ankua për sanksionet e miratuara kohët e fundit nga SHBA, të cilat kërkojnë ndëshkime për kompanitë europiane që marrin pjesë në “Nord Stream 2” dhe projekte të tjera ruse të energjisë në Evropë.

Top Channel