Chelsea, lojtarët duken nervozë. Faji i Contes?

19/10/2017 23:18

Situata te “blutë” e Londrës duket se po jep sinjalet e para të një përkeqësimi, një përkeqësim që shkon përtej rezultateve negative të marra së fundi, si dy humbjet radhazi në kampionat, apo edhe barazimi 3-3 ndaj Romës në Champions League.

Megjithatë, nëse lexohen me vëmendje ekstreme, duket se janë sinjale që mund të tregojnë shumë shpejt një konflikt të brendshëm.

Autokritika e Contes pas barazimit në Champions me skuadrën e Di Francescos është sigurisht shumë e rëndësishme. Trajneri italian mori përgjegjësinë e ndryshimit të formacionit gjatë lojës, “duke shkaktuar konfuzion te lojtarët”.

Megjithatë, një gjest i tillë duket i pamjaftueshëm në një nivel elitar futbolli, me “blutë” londinezë që panë t’iu mungonte si zotërimi i topit, ashtu dhe karakteri. Roma arriti të përmbyste avantazhin e dyfishtë të Chelseat, ndërsa ishte vetëm mjeshtëria e Hazard që shmangu një tjetër humbje për skuadrën e tij.

Conte gaboi kur preferoi të aktivizonte titullar Christensen në vend të Rudiger, teksa për gjermanin, drejtuesit e Chelseat paguan një shumë të majme. Një vendim që ngre shumë diskutime te lojtari: përse më morën këtu, për të mos më aktivizuar fare?

Një tjetër problem u pa edhe në momentin e zëvendësimeve. David Luiz ishte njëri prej atyre që refuzoi të linte fushën, por Conte, ndonëse këtë herë me të drejtë, nuk donte të rrezikonte, pasi braziliani kishte probleme në pulpë. Luiz doli pa takuar as trajnerin dhe as shokët e pankinës, ndaj lind pyetja: ishte i nervozuar për dëmtimin apo për zëvendësimin? Edhe zëvendësimi i Hazard nuk shkoi siç duhej.

Megjithatë faktet janë këto, dy humbje dhe një barazim në 3 takimet e fundit, ndërsa Conte duket se justifikohet me numrin e madh të të dëmtuarve. Por një gjë e rëndoi edhe më shumë situatën e tij, e ajo ishte polemika që lëshoi ndaj Mourinhos. Ai e ftoi portugezin, pa iu drejtuar në emër, të mendonte vetëm për problemet e tij dhe jo të italianit, por “Special One” tashmë mund të replikojë dhe nëse ndodh kjo, tabloidët anglezë mund të kenë material për t’u argëtuar.

Top Channel