ISIS-i humb kryeqytetin. Bie Raqqa, qendra e organizimit të sulmeve

18/10/2017 07:39

Forcat e mbështetura nga Shtetet e Bashkuara e shpallën të mbyllur operacionin ushtarak kundër ISIS-it në Raqqa e tani janë përqendruar tek pastrimi i celulave të fjetura të militantëve, por dhe ai i minave.

Zyrtarët amerikanë ende nuk e kanë njoftuar zyrtarisht fitoren, megjithatë ky zhvillim shënon një moment vendimtar në luftën kundër Shtetit Islamik, e ndoshta, në terma realë e të prekshëm ushtarakë, edhe fundin e saj.

Mosuli në Irak është qyteti me popullsinë më të madhe që ekstremistët arritën të vënë nën kontroll, por Raqqa ishte qendra e tij e pushtetit; i pari qytet i rëndësishëm që morën në Siri dhe vendi që grupi i terrorit e shpalli kryeqytetin e vet. Kur xhihadistët vërshuan atje në fundin e vitit 2013, kishte qenë prej dekadash një oaz laik i përfshirë më pas nga kaosi i luftës civile. ISIS-i e vuri shumë shpejt vulën e tij të shëmtuar me ekzekutime publike, përfshirë prerjet e kokave.

Raqqa u kthye ngadalë në qendrën e vet të operacioneve globale; spitali i saj qëndror dhe stadiumi shërbenin si zyra për militantët që planifikonin sulmet mbi shënjestrat e huaja. Tanimë, ISIS-i do të ekzistojë, sipas ekspertëve, si një rebelim kaotik, i përndjekur në vendet ku do të kërkojë të fshihet mes simpatizantëve të tij.

Disa prej tyre ndodhen përgjatë lumit Eufrat, ku thuhet të fshihet edhe lideri i plagosur Abu Bakr al-Baghdadi. ISIS-i tani është vetëm një ide, një kujtim i kohës kur kalifati ekzistonte. Çështja është se kërcënimi xhihadist do të vazhdojë të mbetet një problem madhor në Perëndim, ku edhe thjesht mendimi i lidhur me ISIS-in ka mjaftuar që individë me probleme të marrin e të përplasin makinat mbi civilët e pafajshëm.

Për çdo rast sidoqoftë, ato pak sulme që kishin planifikim qendror, sepse më të shumtat organizoheshin jashtë Raqqasë, tani nuk do ta kenë më “trurin” komplotues për të dhënë dritën jeshile apo dhe një pozicion të qartë gjeografik nga i cili krerët e grupit mund të pretendojnë meritat e goditjes.

Top Channel