“Taulanti kërkon një motër” rrëfen shpullat e Yllka Mujos

16/10/2017 12:14

Donald Kokona është një arkitekt mjaft i zoti në Tiranë. Emri i tij mund të mos jetë i dëgjuar për të gjithë, por nëse kujton rolin e Taulantit në filmin “Taulanti kërkon një motër”, menjëherë të vjen në mendje fëmija më i famshëm i kohës.

I ftuar në emisionin “Pasdite në Top Channel”, ai ka rrëfyer se si ka qenë jeta e tij herë si Taulant e herë si Donald.

“Sa herë shikoj një objektiv i shmangem. Nuk duroj dot. Në ato vite jam bezdisur nga situatat e atëhershme. Unë nuk e shikoj filmin kur e jep në televizor”, tha ai.

Ndërsa duke folur për vajzën në rol te filmi, Sabielën, thotë se nuk mbajnë kontakte pasi shumica janë jashtë. Ndërsa motra e vërtetë e Donaldit thotë ai se ka qenë shumë krenare sepse vëllai është aktor filmash.

Ishte Xhanfize Keko ajo që e zgjodhi për të luajtur rolin e Taulantit. “Audicionet ishin njëlloj siç bëhen sot. Na çuan ne Pallatin e Pionierëve, sot Pallati Mbretëror. Unë se mbaj mend si audicion sepse ishte një situatë shumë e thjeshtë, nuk perceptohej si audicion. Në familjen time nuk dinin që më kishin përzgjedhur”, tha Donaldi.

Në jetën reale, Donaldi e kishte një motër dhe një ndër kriteret që mendon se e kanë favorizuar ishte se dinte të llastohej dhe nuk ishte një fëmijë i urtë. E sa i përket punës me Yllka Mujon, Roza Anagnostin e të tjerë, flet me pasion.

“Mbaj mend një skenë kur Yllka Mujo më qëllonte dhe unë nuk qaja, se mendoja kush është kjo që më qëllon, s’është mamaja ime. Dhe unë nuk kam qarë. Në dublën finale, ajo më tërheq veshin dhe ma ka tërhequr aq shumë dhe unë prapë nuk qaja, më shumë qaja nga inati se sa nga dhimbja”, tregoi Donaldi në “Pasdite në Top Channel”.

Duke folur për faktin se u shkëput nga kinematografia për t’iu përkushtuar arkitekturës, rrëfen se ishte një zgjedhje mjaft e mirë. Kur shikon Tiranën me syrin e arkitekti, Donaldi thotë se është një qytet i gjallë.

“Tirana duhet të ketë ndërtime të menduara mirë, të jenë me kriter”, tha Donaldi në Pasdite në “Top Channel”.

Donaldi shprehet se nuk thotë jo nëse ka një ofertë për një rol, por tregon se ka të tjerë që mund ta bëjnë më mirë.

Top Channel