Tabloidët britanikë: Mourinho tundohet nga PSG-ja

16/10/2017 21:18

Jose Mourino “i shkel syrin” Paris Saint Germain. Kështu e ka interpretuar media britanike, intervistën e dhënë nga trajneri portugez i Manchester United për televizionin francez “Telefoot”.

Gjatë kësaj interviste, Mourinho nuk i ka kursyer elozhet në drejtim të skuadrës transalpine, ndërkohë që konfirmoi se nuk do ta mbyllë karrierën e tij në pankinën e “djajve të kuq”.

Pothuajse të gjitha të përditshmet britanike ishin në unison, teksa publikuan artikujt e tyre me titullin “The Special One” të përkthyer në gjuhën franceze, siç ishta rasti i “The Sun” apo “Daily Mirror”.

Intervista e Mourinhos u pasqyrua edhe te “Daily Express” apo “The Times”, me këtë të fundit që publikoi artikullin me titull: Mourinho e lë veten të tundohet nga Paris Saint Germain.

Ndër të tjera, Mourinho deklaroi në intervistë se djali i tij, edhe pse jeton në Londër, shkoi në Paris për të ndjekur një ndeshje të PSG-së, e kjo për faktin se kryeqyteti francez ka diçka speciale: magji, cilësi, rini. Thjesht është fantastik.

Top Channel