Bushati i përgjigjet Athinës: Gati të ndjekim modelin grek, nëse ka

16/10/2017 13:12

Pas “sulmit” diplomatik të Athinës zyrtare një ditë më parë, lidhur me miratimin e ligjit të pakicave kombëtare, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati është përgjigjur duke i kujtuar homologut të tij Kotzias se është kërkuar një model prej tij.

“Të gjithë kolegëve, qofshin këta fqinj apo jo, përfshirë edhe Greqinë, gjatë këtyre dy viteve e gjysmë punë që është bërë për hartimin e këtij ligji, i kam kërkuar që të na parashtrojnë gjithashtu eksperiencën e vendeve të tyre. Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për të studiuar çdo lloj modeli për pakicat, duke përfshirë edhe modelin grek, nëse një i tillë ekziston”, ka deklaruar Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare i është përgjigjur dhe presidentit grek, i cili e cilësoi “amatorizëm ndërkombëtar” lëvizjen e Shqipërisë. “Amatorizimi kam frikë se duhet kërkuar nëpër kryeqytetet e vendeve të tjera, por kurrësesi në Shqipëri”, ka thënë Bushati.

Por a i druhet Bushati një vetoje greke?

“Nuk kam asnjë arsye as të mendoj, për asnjë çast, e as të besoi që një shtet, qofte ky edhe fqinji ynë Greqia, do të ishte i intersuar për të vendosur veton ndaj Shqipërisë, sepse e kam thënë dhe do ta them, nuk është as në interesin e Greqisë dhe as të Shqipërisë që të kemi të tilla ngjarje, por politika e megafonit ditën e diel duhet t’ia lërë vendin ditës së punës në marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, ka shtuar Bushati.

Top Channel