Derbi i Madonninës, në mbrëmje sfida e 219 Inter-Milan

15/10/2017 22:40

Mbrëmjen e kësaj të diele luhet derbi i Milanos, apo i “Madonninës”, siç quhet ndryshe përballja mes Interit e Milanit.

Kjo është përballja e 219 mes këtyre dy skuadrave, si dhe e 167-a në Serie A. Biletat e ndeshjes janë shitur të gjitha prej kohësh, e tashmë Inter-Milan ka vendosur  një rekord të ri për kampionatin italian, pasi është mundësuar arkëtimi i 4.6 milionë eurove.

Interi ka luajtur këtë derbi si skuadër pritëse në 83 raste, e në këtë pikë bilanci flet për zikaltrit me 30 fitore, 30 barazime dhe 23 humbje, me 114 gola të shënuar e 108 të pësuar.

Gjithashtu Milani nuk fiton derbin si skuadër vizitore prej 7 vitesh. Sa i përket dy trajnerëve, Spalletti dhe Montella, dikur ata kanë qenë shokë skuadre tek Empoli në periudhën 1991-1993. Por jo vetëm kaq, më pas Spalletti ka qenë trajner i Montellës, fillimisht tek Empoli në vitin 1994, më pas te Sampdoria në 1998-1999, e në fund te Roma në periudhën 2005-2009.

Në këtë ndeshje të sotme, Interi shkon me avantazhin e 7 pikëve ndaj Milanit, por nuk duhet harruar që është një derbi dhe sfida të tilla tregojnë gjithnjë histori të ndryshme nga ajo që flitet në klasifikim, kështu që kjo pritet të ndodhë edhe këtë mbrëmje.

Top Channel