Dritëro Agollin e kanë kujtuar me tinguj, poezi e promovime në ditën e lindjes së tij, më 13 tetor. Lirika e tij e mrekullueshme ishte mes familjarësh, miq, e personalitete, që në dritën e një qiriri i kushtuan një pasdite.

Dy vepra të shkrimtarit, ajo me poezi: “E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua” dhe ajo me aforizma: “Nulla Dies Sine Linea”, u promovuan në këtë përkujtim.

E para ka brenda mbi gjysmë shekulli dashuri dhe e dyta modele të stërlashta sa gjithë historia e mendimit njerëzor.

“Një miku ynë duke biseduar për planet botuese brenda disa muajve më tha: Elona mos i boto përnjëherësh dy vepra që të mos i marrin vëmendjen njëra-tjetrës. Mëdyshjet më brenin, por vendimin e mora për ti nxjerrë njëherësh për lexuesin. Kjo datëlindje duhej medoemos shoqëruar nga këto dy krijesa”, u shpreh Elona Agolli.

“Poezia e dashurisë së Dritëro Agollit, veç heroit lirik, ka dhe një hero tjetër, të cilin e dimë të gjithë. Ka një xhinde Shkodre, një kaproll, e cila 50 e ca vjet me radhë shfaqet herë pas here në poezinë e tij”, u shpreh shkrimtari Ilirian Zhupa.

“Nuk ka një model në aforizmat e Dritëro Agollit, janë së paku 3 modele. Njëri nga modelet më të evidentueshëm është ai i poetëve dhe i shkrimtarëve perëndimor. Në radhë të parë i Paul Eluarit, i cili njihet për një antologji të proverbave në invers”, tha Shaban Sinani, studiues.

Kështu kaloi një pasdite 13 tetori, për të kujtuar jo vetëm shkrimtarin, por sidomos njeriun Dritëro. Atë njeri që të pranishmit e njihnin, donin, e recitonin e sot e përkujtojnë.

Top Channel