Plagos gjyshërit me thikë, arrestohet te “Fresku” nipi

12/10/2017 00:00

Një 19-vjeçar plagosi me thikë gjyshin dhe gjyshen në rrethana të paqarta. Ngjarja ndodhi mesditën e së enjtes rreth orës 13:00 në rrugën “Muhamet Deliu” në kryeqytet.

Autori i identifikuar nga policia është shtetasi Beniamin Kaso, i cili u ndalua menjëherë pak minuta pas ngjarjes.

19-vjeçari plagosi me thikë gjyshin nga nëna, Shaban Agai 80 vjeç dhe gjyshen Hajrie Agai 70 vjeç, të cilët janë dërguar me urgjencë në spital.

I riu i ka goditur të moshuarit me mjetin prerës në rrugën kryesore të lagjes ku banonin, në zonën e njohur si “Fresku”. Por në deklarimet e para 19-vjeçari i ka habitur hetuesit të cilët e kanë marrë në pyetje.

Sipas burimeve, Beniamin Kaso është shprehur se gjyshin dhe gjyshen i qëlloi me thikë pasi ishte i mërzitur dhe se ata talleshin me të. Ky motiv nuk është aspak bindës për hetuesit, të cilët dyshojnë se i riu mund të ketë qenë nën efektin e narkotikëve ose e ka kryer veprimin në gjendje depresioni, ndaj po zhvillohen verifikime të tjera. Në pyetje do të merren edhe të moshuarit për të zbardhur motivet dhe rrethanat e ngjarjes së rëndë.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel