Peru-Kolumbi, Tapia: Falcao më tha se kualifikoheshim të dy

12/10/2017 00:00

Renato Tapia nuk është ndonjë emër i dëgjuar në botën e futbollit, por ai është objekt diskutimesh në futbollin amerikano-latin, veçanërisht pas ndeshjeve të fundit kualifikuese për Botërorin “Rusi 2018”.

Tapia është mesfushor i Perusë, e njëkohësisht ai që zbulon misteret, duke konfirmuar një rregull të vjetër të pashkruar të futbollit.

Peruja luante në ndeshjen e fundit vendimtare ndaj Kolumbisë, dy skuadra që në rastin e një fitoreje të Argjentinës në Ekuador (siç edhe ndodhi me trigolëshin e Messit) preferonin më mirë të dilnin barazim, për të lënë jashtë Botërorit të vitit të ardhshëm skuadrën e Kilit, që u mposht nga Brazili.

“Falcao më tha se të dyja ekipet tona ishin të kualifikuara për në Botëror, por ky është futbolli…”, rrëfen mesfushori Tapia, pasi ishte mësuar humbja e Kilit në Brazil.

E këtë e mbështesin edhe pamjet nga ndeshja, që kanë bërë xhiron e botës. Aty shihet Falcao që i afrohet Tapias.

“Në 5 minutat e fundit të ndeshjes, kolumbianët na u afruan. E dinin sesi ishte situata në ndeshjet e tjera, e në ato minuta menaxhuam ndeshjen siç duhej menaxhuar”.

Barazimi 1-1 mes Perusë dhe Kolumbisë i dha të drejtën “Los Cafeteros” të kualifikohen drejtpërdrejt në Botëror, ndërsa peruanët do të luajnë ndeshjet e “play off”-it me Zelandën e Re.

Top Channel