“Mozaik Kruje” në Pazarin e ri, Veliaj: Ndryshoi jeta e 1 mijë njerëzve

12/10/2017 00:00

Pazari i Ri i Tiranës ka mirëpritur Krujën tradicionale, ku u promovuan dhe bizneset e zonës në eventin një ditor “Mozaik Kruje” dhe “Artisans’s Fashion Night”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se Pazari i Ri është kthyer tashmë në gurin e kurorës së gjithë investimeve që kanë ndodhur në kryeqytet. Ai tha se transformimi që ka pësuar Pazari i Ri jo vetëm që ka ndryshuar pamjen estetike të zonës, por në të njëjtën kohë ka përmirësuar edhe jetën e qytetarëve. Ai shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës për të bashkëpunuar për projekte të tjera në të ardhmen.

“Ky është një organizëm që jeton dhe filozofia jonë, por edhe e AADF, është të investojmë në projekte që jo vetëm i bëjnë gjërat e bukura, por që i bëjnë jetët e bukura. Unë besoj se më shumë se sa një projekt me 1000 detaje të bukura, ky është një projekt që ka ndryshuar jetën e 1000 njerëzve, që është bërë më e bukur prej faktit se ata kanë një vend pune, punojnë me djersën e tyre në një mjedis kaq fantastik. Për gjëra të bukura dhe për jetë të bukura që ndryshojnë qytetin e Tiranës jemi gati të bashkëpunojmë dhe ta çojmë akoma më tej”, tha ai.

Duke falenderuar Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për kontributin që ka dhënë për realizimin e projektit të Pazarit të Ri, Veliaj bëri të ditur se kanë nisur bisedimet për të realizuar të tjera investime të rëndësishme në kryeqytet.

“Mezi pres që pas suksesit të Pazarit të Ri, të vazhdojmë me disa projekte të tjera. Jemi në bisedim me Fondin se cili do të jetë projekti dhe investimi ynë i ardhshëm në qytetin e Tiranës. Por, sot besoj është koha për mirënjohje nga zemra për të gjithë ata që kanë kaluar ditë dhe netë të tëra në një projekt me kaq shumë detaje, por që besoj ka përfunduar në perfeksion”, nënvizoi Veliaj.

Drejtori i Bordit Drejtues të Fondit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff e cilësoi fantastik projektin e Pazarit të Ri, duke shtuar se është fillimi i shumë projekteve të tjera që do të realizohen me qeverisjen vendore dhe me qeverinë e Shqipërisë.

Top Channel