Kosovë, Meta takohet me Haradinajn, Veselin dhe krerët e partive

12/10/2017 00:00

Në vijim të vizitës në Kosovë, Presidenti Ilir Meta u takua me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, të cilin e siguroi për mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese.

Duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionit me Malin e Zi me liberalizimin e vizave, si një sfidë tashmë të pashmangshme, kreu i shtetit shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë, në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.

Në takim me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli, Presidenti Meta u ndal te sfidat me të cilat përballet Kosova, ku veç liberalizimit të vizave dhe demarkacionit me Malin e Zi, me rëndësi është edhe rifillimi i dialogut me Serbinë, proces për të cilin ai shprehu besimin se Kuvendi i ri i Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të arrijnë të gjejnë konsensusin.

Po ashtu, Presidenti Ilir Meta u takua edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, si dhe me përfaqësuesin e “Listës Serbe”, Slavko Simiç.

Gjatë këtyre takimeve, Presidenti Meta theksoi nevojën e domosdoshme të bashkëpunimit dhe dialogut konstruktiv të të gjitha forcave politike, për ardhmërinë dhe perspektivën integruese europiane të Kosovës.

Top Channel