Komisioni Europian, lavde Shqipërisë: Një fqinj i mirë

12/10/2017 00:00

Shqipëria po bën progres në rrugën e saj drejt integrimit europian, e kontribut të rëndësishëm drejt këtij objektivi ka dhënë këto muajt e fundit vendosmëria e autoriteteve shqiptare për të menaxhuar problemin e aplikimeve të pajustifikuara të azilkërkuesve në vendet anëtare të BE-së.

Në takimin e Komitetit të Asociim-Stabilizimit në Bruksel u lavdëruan përpjekjet e bëra në raport me bashkëpunimin rajonal. Marrëdhëniet me fqinjët përbëjnë një pjesë thelbësore të partneritetit strategjik të vendit tonë me Bashkimin Europian.

“Shqipëria është tashmë krejtësisht në linjë dhe po luan një rol pozitiv, sa i takon politikës së jashtme europiane dhe asaj të sigurisë së përbashkët”, shkruan “EU Reporter”.

Në takimin e 8 të përvitshëm të Komisionit, të drejtuar bashkërisht nga zëvendësministrja për Europën dhe Punët e Jatshme, Eralda Cani, si dhe drejtoresha e KE-së, Genoveva Ruiz Calavera, u kaluan në revistë të gjithë zhvillimet kryesore të marrëdhënieve BE-Shqipëri përgjatë vitit të kaluar, duke u prekur subjekte që nisnin nga sundimi i ligjit, reforma në Adminstratën Publike, tregtia, zhvillimi ekonomik, bujqësia, peshkimi, industria, tregu i brendshëm apo politikat sociale, e deri te transporti dhe mjedisi.

Komiteti diskutoi gjithashtu edhe mbi implementimin e asistencës financiare të bllokut europian në Shqipëri. Raporti i Komisionit Europian mbi progresin në të gjitha këto fusha ishte pozitiv, por u theksua sidoqoftë se ka ende nevojë për rezultate të prekshme në Reformën në Drejtësi, duke u sjellë si shembull vettingu.

Po kështu, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit evidentohet edhe njëherë si prioritet, me theksin e vënë te përpjekjet kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, reforma në Administratën Publike, si dhe mbrojtja e të drejtave themelore.

Top Channel