Hysi: Noka përsëritës. Opozita ka folur më shumë se mazhoranca

12/10/2017 00:00

Deputetja socialiste, Vasilika Hysi, gjithashtu pjesë e Byrosë së Kuvendit argumentoi votën e saj pro përjashtimit të Flamur Nokës me dhjetë ditë nga punimet e parlamentit.

Duke folur në Top Story, Hysi tha se veprimet e deputetit demokrat janë të përsëritura dhe të qëllimshme që cenojnë punën normale të Kuvendit.

“Është e dyta herë që Kuvendi nuk zhvillon dot seancat plenare dhe ky ishte një veprim i përsëritur për herë të tretë nga zoti Noka. Sot patëm në dispozicion procesverbalin e zbardhur të debatit, ku ka rezultuar që pasi Berisha ka përfunduar fjalën, fjala i është dhënë Shezai Rrokajt, por ai nuk ka mundur të flasë sepse gjatë gjithë kohës në foltore ishte Flamur Noka aty”, tha ajo.

Akuzave të opozitës se mazhoranca po i heq të drejtën e fjalës, Hysi iu përgjigj:

“Mazhoranca ka shpenzuar vetëm 1/3 e kohës dhe opozita 2/3 e kohës. Sot është zbatuar një pikë e rregullores, kur një deputet zapton foltoren dhe zotit Noka i është tërhequr vëmendja 9 herë”, deklaroi ajo.

Top Channel