Byroja përjashton me 10 ditë Flamur Nokën

12/10/2017 00:00

Byroja e Kuvendit miratoi kërkesën e një grupi deputetësh të Partisë Socialiste, që kërkuan përjashtimin me 10 ditë të deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka.

Përjashtimi i Flamur Nokës është bërë vetëm me votat e Partisë Socialiste, pasi LSI votoi kundër kërkesës.

Noka u përjashtua gjatë seancës së të enjtes nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi për reagimin e bërë pas fjalës së Sali Berishës në Kuvend dhe ndërhyrjes së Kryeministrit Edi Rama, kur po diskutohej projektligji për minoritetet.

Pas kësaj, PD dhe LSI u bënë bashkë duke i dorëzuar Ruçit një kërkesë për përjashtimin e Edi Ramës po me dhjetë ditë, kërkesë kjo e hedhur poshtë nga kreu i Kuvendit.

“Pasi pashë të zbardhur procesverbalin e seancës, nuk mund ta marr në konsideratë sepse nuk përmbush asnjë kërkesë të rregullores të neneve 64 dhe 65”, tha kryeparlamentari Ruçi.

Top Channel