Berisha: Rama më ofendoi. Kryeministri: PD, e lagu s’e lagu!

12/10/2017 00:00

Deputeti demokrat Sali Berisha, ka deklaruar se kryeministri Rama e ka fyer gjatë fjalës që po mbante në Kuvend për ligjin mbi pakicat kombëtare.

Teksa ka folur për mediat jashtë sallës, Berisha ka akuzuar kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi se po përdor mekanizma të kohës së diktaturës së Enver Hoxhës.

“Ministri i fundit i policisë kriminale-terroriste të diktaturës hoxhiste ka marrë përsipër një mision, shkatërrimin përfundimtar të institucionit qendror të demokracisë, që është Parlamenti. Ai për herë të dytë mohon të drejtën e fjalës për procedurë, e cila është e drejta më bazike jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por në të gjithë parlamentet e botës dhe asambletë parlamentare, përfshirë këtu edhe samitin e OKB-së”, ka thënë Berisha.

Demokratët pretendojnë se Rama ka fyer pa mikrofon Sali Berishën me frazën “ti je i rrjedhur” teksa po fliste për ligjin mbi minoritetet.

Lidhur me këtë, në prononcimin për mediat Berisha është shprehur: “Si ta merr mendja që mund të më fyejë mua Edi Rama? Ai është Edvin Shullazi”.

Vetë kryeministri, duke reaguar me një postim të shkurtër në rrjetet sociale, ka shkruar se Partia Demokratike merret vetëm me gjëra “e lagu, s’e lagu”.

“Përsëri pushtohet foltorja e ndërpritet puna e Kuvendit, sepse PD nuk thahet dot nga rrebeshi i zgjedhjeve dhe di vetëm e lagu s’e lagu”, ka thënë Rama.

Top Channel