Askush nuk largohet nga Anglia

12/10/2017 00:00

Jose Mourinho, Juan Mata dhe Mesut Ozil duket se nuk kanë destinacion tjetër përveçse Premier League.

Sipas asaj që publikohet në tabloidin “The Sun”, Manchester United po mendon për rinovimin e kontratës me trajnerin portugez edhe për 5 vjet të tjerë. Gjithnjë sipas “The Sun”, Mourinho me kontratën e re pritet të përfitojë në total 72 milionë euro, që do të thotë 14.5 milionë euro në sezon. Mourinho mbërriti te “Djajtë e Kuq” në vitin 2016 dhe firmosi për 3 vjet. Tani i ofrohet kjo kontratë e re për 5 vjet, diçka që asnjë klub tjetër me të cilin ai kishte punuar nuk e kishte bërë më parë.

Në “Old Trafford” do të qëndrojë edhe Juan Mata, për të cilin u fol shumë për një transferim në kampionatin kinez. Sipas “Daily Mirror”, mesfushori spanjoll ka shprehur gatishmërinë për të zgjatur edhe me një vit kontratën që ai ka me Manchester United, një operacion ky që pritet të bëhet edhe me bashkëkombasin e tij, Ander Herrera.

Një çështje më vete e Premier League është edhe ajo e Mesut Ozil. Mësohet se Arsenali tashmë ka nisur bisedimet me mesfushorin gjerman për rinovimin e kontratës me të dhe mesa duket gjithçka po shkon shumë mirë. Vetë agjenti i Ozil ka zbuluar gjithçka për “Independent”, duke shtuar se Ozil dëshiron të jetë pjesë e kampionatit anglez të paktën edhe për 2-3 vjet të tjerë. Kontrata aktuale e Ozil skadon në fund të këtij sezoni dhe së fundmi është folur shumë për largimin e tij që në merkaton e muajit janar. Interi, Besiktas e sidomos Manchester United kanë qenë skuadrat që kanë shfaqur hapur interesin për Ozil, i cili edhe më parë ka punuar me Mourinhon kur ishin pjesë e Realit të Madridit.

Top Channel