TVSH për të gjithë, biznesi i vogël frikë për mbyllje

11/10/2017 00:00

Beli Cafi është një emër jo i panjohur në botën e estetikës. Ajo zotëron një sipërmarrje të vogël në fushën e shërbimeve që prej vitit 1999.

Zonja Cafi është entuziaste për masën e re të qeverisë për vendosjen e TVSH-së për të gjitha bizneset. Sipas saj, kjo masë do vendosë barazi mes subjekteve.

“Duhet parë mirë ajo pjesë e ligjit deri ku do të jetë pjesa e TVSH-së, deri ku do të penalizohet biznesi i vogël. Por, duke qenë taksa e bashkisë shumë e vogël dhe biznesi zero në momentin kur jemi në 50 milionë lekë të vjetra, mendoj se ndërgjegjësimi se të gjithë jemi të barabartë para ligjit do të shkojë në favor të të gjitha bizneseve të vogla”, deklaron Cafi.

Por jo të gjithë mendojnë kështu. Leonard Cami, pronar i një bar-kafe në periferi të Tiranës, mendon se kjo masë do të rrisë kostot për biznesin.

“Boshti i ekonomisë do 50 mijë lekë. Do shtojë një kosto 50 mijë lekë për çdo muaj, që në 12 muaj i bie 600 mijë lekë”, thotë Cami.

Por çfarë mendojnë ekspertët? “Nëse vendoset TVSH-ja, ato do të kenë një kosto. E para ulja e fitimit, e dyta kostoja e plotësimit të deklarimit. Pastaj është kostoja e informacionit për inventarin. Në këto kushte ata duhet të blejnë një lexues elektronik, një program dhe një kompjuter që të sigurojë mundësinë e evidencës së inventarit, që për efekt të TVSH-së është i domosdoshëm”, thotë Sotiraq Dhamo.

Kryeministri Edi Rama ka lajmëruar se nga 1 janari i vitit të ardhshëm të gjitha bizneset do të përfshihen në skemën e TVSH-së, me përjashtim të zejtarëve të vegjël dhe tregjet e bashkive. Për Leonardin, kjo masë sjell vetëm dy skenarë.

“TVSH-ja është një pjesë që unë duhet t’ia paguaj shtetit. Por për këtë taksë unë duhet ose të mbyll biznesin, ose t’ua kërkoj klientëve. Pra, do të ngrihen çmimet”, thotë pronari i kafenesë.

Top Channel