Skandali i Gjykatës së Vlorës, kryetari: Trafikantët “çanë” rrjetën

11/10/2017 00:00

Pak ditë më parë, Skënder Haluci ngriti shqetësimin se në gjykatë përfundojnë vetëm peshqit e vegjël.

Por lirimi i një të arrestuari për mbi 5 tonë hashash vërtetoi të kundërtën, duke e vënë atë dhe gjykatën që ai drejton në një pozicion të rënduar para opinionit publik.

Pas vendimit të gjyqtarit Arqile Basho, që çoi në shtëpi me garanci pasurore Rakip Arapajt, Haluci pranon se Gjykata e Vlorës e ka humbur betejën me trafikantët e drogës.

“Jam në dijeni se ditën e premte është zëvendësuar masa e sigurisë për një të dyshuar që ishte për drogë dhe disa armë luftarake”, ka deklaruar Haluci në një intervistë telefonike për Top Channel.

Cili është komenti juaj pas këtij vendimi?

“Komenti im është se rrjeta e gjykatës u ça nga peshkaqenët e trafikimit të lëndëve narkotike, që do të thotë se një i paraburgosur për drogë sot është jashtë”, ka thënë Haluci.

Kush janë peshkaqenët?

“Peshkaqenët janë ata që organizojnë trafikun e drogës”, ka thënë kryetari i Gjykatës së Vlorës.

Por ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka nisur ende inspektimet në Gjykatën e Vlorës, Haluci shprehet në pritje të kontrolleve për këtë vendim. “Jam i gatshëm që kur të nisin inspektimet t’u dorëzoj vendimin”, ka thënë Haluci.

Nga ana tjetër, prokuroria pohon se do ta kundërshtojë në Apel lirimin e Arapajt, i arrestuar në fshatin Drithas, Llakatund, si i dyshuar për prodhim të mbi 5 tonëve hashash dhe 2.5 litrave vaj hashashi.

Por ndërsa dy gjykata e lanë në “arrest me burg” të dyshuarin, Gjykata e Vlorës e rivlerësoi masën, duke e lënë atë në gjendje të lirë, me një garanci shtrënguese prej 1 milion lekësh. Ose 208 herë më pak sesa vlera monetare e 5 tonëve hashash në tregun ilegal të trafikut të drogës.

Top Channel