Ndërtimi në Butrint, përplasje të ashpra në komision

11/10/2017 00:00

Partia Demokratike i kërkoi ministres së Kulturës Mirela Kumbaro që të ndërpresë punimet që po bëhen brenda në parkun e Butrintit.

Kërkesën asaj ia drejtoi kryetarja e komisionit të medias Albana Vokshi, e cila argumentoi se punimet duhet të ndalen deri në sqarimin e situatës, nëpërmjet ekspertëve të fushës, UNESCO-s dhe aktorëve të tjerë të përfshirë.

“Të ndërpriten për aq kohë sa të marrë informimi i plotë i publikut nga të gjithë profesionistët e fushës, nga historianët, arkeologët dhe pastaj të vazhdojmë me dëgjesën dhe sqarimin nga prokuroria dhe institucionet e tjera”, deklaroi Vokshi.

Ministrja u thirr për të raportuar për çështjen e Butrintit në komisionin parlamentar, ku u përball me ankesat e deputetëve të opozitës se Ministria u kishte dhënë dokumentacionin përkatës me vonesë.

Por Kumbaro argumentoi se si ishte marrë vendimi për të dhënë lejen për të ndërtuar në Butrint.

“Evidentohet kërkesa për më shumë shërbime, më shumë cilësi, për lehtësira të vizitave në site, që nga rampat e sigurisë për vizitorët me aftësi të kufizuara deri tek nyjet sanitare të munguara. Përgatitëm kuadrin ligjor, një tjetër udhëzim të ministrit për përcaktimin e rregullave të munguara për këndet e suvenirëve dhe librave. Ne kërkuam oferta bashkëpunimi për këtë shërbim të ri, që nuk mund ta plotësojnë dot institucionet e Ministrisë së Kulturës, të cilat nuk mund të shesin as ujë, as kafe”, tha Kumbaro.

Top Channel