Lëvizje në prokurori. Drejtuesit ndryshohen pas informacioneve nga ambasadat

08/10/2017 00:00

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka firmosur ndryshime te drejtuesit e Prokurorive të Tropojës dhe Kukësit.

Artur Ismailukaj, deri tani drejtues i Prokurorisë së Tropojës, transferohet drejtues në Prokurorinë e Kukësit. Ndërsa në krye të organit të akuzës së Tropojës emërohet Artan Shtrungza, që deri tani mbante detyrën e prokurorit në këtë institucion.

Ndërkohë, ish-drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Rita Gjati tranferohet prokurore e thjeshtë në Tropojë.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme, këto lëvizje bëhen në kuadër të përmirësimit të punës dhe shmangies së problematikave të konstatuara.

Në lidhje me natyrën e problematikave, burime pranë Prokurorisë së Përgjithsme janë shprehur për Top Channel se, ato janë evidentuar si nga qytetarë të ndryshëm, por edhe nga informacionet që kanë ardhur nga ambasadat e disa prej vendeve të rëndësishme.

Madje, informacionet e ardhura nga selitë diplomatike flasin për çështje dhe prokurorë konkretë, e në këtë kuadër pritet që edhe në ditët në vazhdim të ketë lëvizje të tjera në radhët e prokurorive në rrethe.

Për shkak të konfidencialitetit, Prokuroria e Përgjithshme nuk jep të dhëna të tjera mbi natyrën e informacioneve të ardhura nga ambasadat, ndërsa këto lëvizje bëhen në prag të aplikimit të ligjit të vettingut për njerëzit e drejtësisë.

Top Channel