Lajmi i fundit
Shëngjin, plagosen 2 persona me armë zjarri

Rrjet panelesh diellore për Porto Rikon e shkatërruar

06/10/2017 00:00

Porto Riko doli e rrënuar nga uragani “Maria”, teksa pjesë të tëra të territorit ishullor mbetën pa energji elektrike, por duket se edhe për territorin amerikan ka shpresë.

Shpresa vjen nga sipërmarrësi i energjisë së rinovueshme, Elon Musk, i cili është shprehur se mund ta rindërtojë të gjithë infrastrukturën elektrike të shkatërruar të Porto Rikos, përmes teknologjisë së paneleve diellore.

Musk tha përmes “Twitter”-it se teknologjia e tij, që ofron energji për disa ishuj të tjerë më të vegjël, mund të shërbejë edhe për Porto Rikon. Guvernatori i ishullit iu përgjigj propozimit të Musk, duke e ftuar atë për bisedime.

“Nëse ti dëshiron t’i tregosh botës fuqinë dhe kapacitetet e teknologjisë tënde Tesla, atëherë Porto Riko mund të jetë mundësia më e mirë për projektin-pilot”, deklaroi guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello.

Kompania “Tesla” e Musk është e njohur për makinat e saj elektrike, por pjesë e kësaj korporate është edhe “SolarCity”, një firmë panelesh diellore e specializuar në ruajtjen me eficencë të lartë të elektricitetit.

Kompania thotë se u ka ofruar shërbim energjie elektrike disa ishujve të vegjël, siç është edhe Ta’u, në Samoan amerikane. Atje është instaluar një rrjet panelesh diellore që mund të japë energji për të gjithë ishullin dhe mund të ruajë mjaftueshëm energji për 3 ditë, nëse moti do të jetë pa diell.

“Ekipi i Teslas e ka bërë këtë për disa ishuj më të vegjël anembanë botës, megjithatë nuk ka një kufi kapaciteti, kështu që mund të bëhet edhe për Porto Rikon gjithashtu”, shkroi në “Twitter” Musk.

Por ai shtoi se një projekt i tillë do të donte edhe mbështetjen e Porto Rikos, gjë për të cilën guvernatori duket i hapur të diskutojë.

Top Channel