Rama: Opozita po mbron informalitetin; Basha: Rama kërcënon sipërmarrësit e vegjël

06/10/2017 00:00

Kryeministri Edi Rama theksoi në një postim në Facebook se opozita është vënë në mbrojtje të informalitetit, ndërsa qeveria mbron njerëzit e zakonshëm.

“Opozita front në mbrojtje të INFORMALITETIT. Ne mbrojmë njerëzit e zakonshëm. Asnjë biznes pa TVSH = FUND mashtrimit me lekët e popullit. Biznesi i vogël do të vijojë të ketë ZERO Tatim Fitimi, por do të duhet të marrë çdo mall me faturë dhe të shesë çdo mall me kupon. Askush nuk mund të hajë më pas shpine as konsumatorin, as shtetin; gjithkush atë që meriton, gjithkujt atë që i takon”, shkroi Rama.

Në të njëjtin rrjet social erdhi edhe përgjigjja e kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës.

“Në vend që të kërcënojë sipërmarrësit e vegjël që punojnë sa për të mbajtur gjallë familjet e tyre, Edi Rama duhet t’u bëjë të ditur shqiptarëve sa para u ka dhënë nga buxheti i shtetit oligarkëve këto katër vite: oligarkët e shëndetësisë e të ilaçeve, oligarkët e ndërtimit, oligarkët e koncesioneve, oligarkët e naftës dhe të telekomunikacionit. Pastaj t’u tregojë shqiptarëve edhe sa taksa kanë paguar këta oligarkë në buxhetin e shtetit. Por ai nuk i tregon dot këto fakte, sepse ato zbulojnë një të vërtetë kriminale: zhvatjen e pamëshirshme të njerëzve të thjeshtë për pasurimin e Edi Ramës dhe klientëve të tij”, shkroi Basha.

Top Channel