Masakra e bulevardit, 7 holandezë dëshmi për vrasjen e trefishtë

06/10/2017 00:00

Gjysere Sulkut i janë vrarë të dy djemtë brenda 40 ditëve. Ndryshe nga shumë të tjerë që kanë humbur të afërm nga krimi, por që nuk gjejnë forcë të ndjekin gjyqet ndaj të akuzuarve, ajo nuk mungon në asnjë seancë.

Më shumë sesa për të parë në sy të akuzuarit Klejvi e Markelian Doçi, gruaja do të dëgjojë zërin e drejtësisë gjatë dhënies së vendimit.

“Dua të di se sa do dënohet. Nëse nuk dënohet me burgim të përjetshëm unë do të kërkoj ku të jetë më lartë. Ku të më thotë mendja mua”, thotë Gjysere Sulku.

Për prokurorinë, historia kriminale nis më 6 prill 2015, kur në Holandë vritet Durim Sulku. I betuar për të marrë hak brenda ditëve të zisë, vëllai i viktimës së bashku me italianin Salvatore Letizia organizuan atentatin në bulevard kundër Mentor Lufit, daja i dy të arrestuarve.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj nga njëra palë dhe Besnik Sulku nga ana tjetër. Klejvi dhe Markeljan Doçi janë nën gjykim për “vrasje me paramendim”.

Ndërsa italiani Salvatore Letizia për akuzën e “vrasjes për gjakmarrje”, përderisa viktimat e kishin deklaruar të pandehurin vëlla. “Kam shkuar në burg, sepse i kam dhënë bukë e ujë tek shtëpia ime”, thotë zonja Sulku.

Në seancën e radhës pritet të dëshmojnë 7 dëshmitarë nga Holanda të cilët do të pyeten edhe për vrasjen e Durim Sulkut.

Top Channel