Julia Roberts, në prag të 50-vjetorit

06/10/2017 00:00

“50 vitet nuk më trembin aspak, madje më duket një moment eksitues”. Kështu është shprehur për “Vanity Fair”, Julia Roberts, e cila më 28 tetor do të shuajë 50 qirinjtë.

E për të filluar festimet për përvjetorin e rëndësishëm, aktorja me buzëqeshjen karakteristike, e ftuar në “The Late Late Show” të James Corden u bë protagoniste e një videoje gazmore që përmblodhi karrierën e saj të suksesshme.

Nga “Pretty Woman” te “Notting Hill”, e deri te filmi i ri “Wonder”, 26 filma të përcjellë në 10 minuta argëtuese.

Një udhëtim pas në kujtesë, gjatë të cilit Julia Roberts rikujtoi me ndihmën e James Corden disa prej skenave kult të filmave më të famshëm. Dyshja filloi me “Notting Hill”, për të vazhduar më pas me “Pretty Woman”, “Erin Brockovich” dhe “Flatliners”, në një sekuencë të shpejtë me ndërrime kostumesh dhe objektesh skenike.

Nënë e 3 fëmijëve dhe me një karrierë prej 3 dekadash pas shpine, ish-gruaja më e bukur është shndërruar tani në gruan e mrekullive, pikërisht siç quhet edhe filmi i saj i fundit, që do të fillojë të shfaqet në kinematë amerikane nga 17 nëntori.

Julia duket se i ka vërtet superfuqitë. Me bukurinë rrezatuese që nuk njeh moshë, viteve nuk ka përse t’i trembet aspak.

Top Channel