Qindra grekë të moshuar protestuan të premten jashtë Gjykatës Administrative të vendit, në përpjekje për të ndaluar reduktimin e fundit të pensioneve të tyre, si pasojë e reformave të miratuara për të përmbushur kërkesat e huadhënësve ndërkombëtarë.

Greqia vazhdon të mbetet nën morsën e kursimeve për thuajse 7 vitet e fundit, ndërsa kreditorët kërkojnë masa për vite të tëra keqmenaxhimi financiar, që bëri që vendi të merrte 3 paketa ndihme ndërkombëtare.

Rreth 600 pensionistë, që kanë parë pensionet e tyre të reduktohen disa herë që nga viti 2010, mbanin në duar parulla ku lexohej “Është jeta jonë”.

“Ata na bënë për budallenj, jeta jonë është në fije të perit. Nuk mund të vazhdojmë më. Nuk mund të ndihmojmë as fëmijët tanë. I dalë në pension me një pagesë dinjitoze, unë besoja se do të kisha një jetë të mirë, por fatkeqësisht ata duan të na vdesin para kohe”, tha një pensionist.

“Në moshën 50 ose 55-vjeçare nuk mund të gjesh një vend pune, kur të rinj me diploma nuk janë në gjendje ta gjejnë. Edhe nëse do të gjeja një vend pune, a do të mund të arrija deri te pensioni, apo kontributet do të vidheshin edhe një herë tjetër?”, deklaroi një pensioniste.

Atyre iu bashkuan edhe shumë vejusha, që protestonin kundër legjislacionit të ri, që pritet të hyjë në fuqi në vitin 2019, sipas të cilit, grave të moshës 55 vjeç e poshtë i jepet pension për vetëm 3 vite pas vdekjes së të shoqit. Protestuesit shpresojnë që gjykata të hedhë poshtë legjislacionin, edhe pse nuk pritet që një vendim të merret së afërmi.

Top Channel