Emergjencat tek Mbrojtja, Mediu: Të mos cënohet roli i FA

06/10/2017 00:00

Në kaudër të ristrukturimit dhe riorganizmit të institucioneve publike dhe rritjes së buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar kalimin e Emergjencave Civile nga Ministria e Brendshme në vartësi të asaj të Mbrojtjes.

“Do të kemi edhe një temë për emergjencat, që do kalojnë nga MPB dhe MM. Edhe rezervat e shtetit do të kalojnë dhe gjithë sistemi i emergjencave do të reformohet. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe do të ndryshojmë qasjen e prefektit me komunitetin”, deklaroi Rama pak ditë më parë.

Ish-ministri i Mbrojtjes në qeverinë e demokratëve, Fatmir Mediu e mbështet idenë, por thotë se duhet patur kujdes që të mos cënohet qëllimi dhe orientimi i Forcave të Armatosura.

“Duhet patur parasysh se Forcat e Armatosura nuk janë brigadë komunale. Ato shërbejnë vetëm kur janë ezauruar të gjithë elementët e tjerë strukturorë shtetërore dhe lokalë. Koncepti që Gjendja Civile duhet të kenë marrëdhënie me FA, kur sot FA e kanë brigadën e Emergjencave Civile, çështja është deri në ç’lloj niveli. Mendoj se kjo ka nevojë për një gjykim dhe diskutim të përbashkët në nivel politik, në mënyrë që buxheti i mbrojtjes të mos ketë oshilacione të papranueshme”, deklaron Mediu.

Top Channel