Kazuo Ishiguro fiton Nobelin për Letërsinë

05/10/2017 00:00

Nobeli i sivjetshëm i letërsisë i shkon Kazuo Ishiguros, që në romanet e tij të përshkuara prej një force të madhe emocionale ka rrëfyer abisin e ndjesisë së gënjeshtër të lidhjes me botën.

Ky ishte shpjegimi i Akademisë suedeze, që pasi çuditi botën vitin e kaluar me vlerësimin e bërë yllit të “Rock”-ut dhe poetit Bob Dylan, të ngritur në statusin e një ikone, preferoi këtë herë të ishte më konvencionale.

62-vjeçari Ishiguro, i lindur në Nagasaki të Japonisë, u zhvendos me familjen në Mbretërinë e Bashkuar kur ishte 5 vjeç dhe sot është shtetas britanik. Në vitin 1986, ai do të fitonte çmimin “Withbread” për romanin e tij të dytë “Një artist i botës së lëkundur”.

Tre vite pas kësaj mbërriti një tjetër vlerësim prestigjioz, çmimi “Booker”, për romanin e radhës “Ajo që mbetet nga dita”, nga ku u frymëzua dhe filmi i James Ivory, në të cilin personazhi kryesor vjen nën interpretimin e jashtëzakonshëm të Anthony Hopkins.

Lista zgjatet me çmimin “Alex” në vitin 2005. Romani i tij i shtatë “Gjiganti i groposur” mbushi raftet e librarive amerikane e atyre angleze, marsin e vitit 2015. Pas një heshtjeje 10-vjeçare, Ishiguro nxorri një vepër mitologjike të mbushur me përbindësha, dragonj e gjigantë.

Në garën e sivjetshme të Nobelit të Letërsisë, të ndjekur ethshëm nga shqiptarët e inkurajuar prej përmendjes së vazhdueshme të Ismail Kadaresë, kishte plot emra të lartkuotuar, si Margaret Atwood, Ngugi Wa Thiong’o dhe Haruki Murakami, ndaj përzgjedhja e Ishiguros u konsiderua deri diku surprizë.

Emri i Kadaresë lakohej bashkë me atë të Antonio Lobo Antunes, si ndër më të mundshmit për trofenë e këtij viti, duke qenë se diskutohen prej një kohe të gjatë dhe përgjithësisht, sipas gazetës kryesore suedeze “Dagens Nyheter”, shumë mendojnë se ata e meritojnë këtë çmim dhe se normalisht nuk duhet të ketë kundërshtime.

Top Channel